Si do të ngjallen të vdekurit?

Opinione

Gjuha jonë, fjalët tona i përkasin kësaj bote dhe realitetit të saj. Për botën dhe realitetin e Hyjit fjalët na mungojnë. Këtë përvojë kalojnë të krishterët e parë kur pyesin: Çfarë do të jetë ringjallja e të vdekurve? Ç’ndodh me trupin që shkatërrohet në varr? Kur një njeri është handikapat, mbetet ashtu kur të ngjallet? Kur një fëmijë vdes a bëhet një i rritur në qiell? Ç’ndodh me të gjithë ata që kanë vdekur dhe vdesin me shpresën te Zoti dhe me besimin te Jezu Krishti?

loading…



Përballë këtyre pyetjeve, si edhe shumë të tjerave, s’kemi përgjigje më të mirë se ajo që të shikojmë Jezusin e ngjallur, njëkohësiht të shpërfytyruar në lavdi dhe me stigmatat e Mundimit mbi trupin e tij, shenjat e dashurisë së madhe falë të cilës ka dhënë jetën e tij për ne. Varri i zbrazët, shenjat e gozhdave nga një anë dhe dukja e re dhe e mistershme e Jezusit të ngjallur nga ana tjetër na lejojnë të themi se të vdekurit ngjallen me trupin e tyre, që do të jetë në të njëjtën kohë i ndryshëm sepse do të jetë i lavdëruar, si gruri i hedhur në tokë që shndërrohet në vdekjen e tij për të dhënë kalli (Gjn 12, 24).

“Ç’është ‘ngjallja’? Në vdekje, shpirti ndahet nga trupi, trupi i njeriut kalbëzohet, ndërsa shpirti i tij takohet me Zotin, duke mbetur në pritje të bashkohet me trupin e vet të lavdëruar. Hyji me gjithë pushtetin e tij do t’u kthejë përfundimisht jetën e paprishur trupave tanë, duke i bashkuar me shpirtrat tanë, falë Ngjalljes së Jezusit”.

KATEKIZMI I KISHËS KATOLIKE 997

Përpara këtij misteri jete dhe dashurie që mbështetet mbi “fuqinë e Perëndisë”, Shën Pali i flet bashkësisë së Korintit për:

“… ato gjëra që syri nuk i pa,

as veshi nuk i dëgjoi,

që kurrë , nuk hyjnë në zemër të njeriut,

ato gjëra që Hyji përgatiti për ata që e duan”.

LETRA E PARË KORINTASVE 2, 9

Ne që marrim pjesë në Eukaristi, ushqejmë trupin tonë me Trupin e ngjallur të Zotit. Eukaristia është një peng i jetës së përjetshme. “Pjesëmarrja jonë në Eukaristi na jep tashmë një parashije të shndërrimit të trupit tonë nëpërmjet Krishtit” (Katekizmi i Kishës Katolike 1000).

“Kush ha mishin tim dhe pi gjakun tim ka jetën e amshuar dhe do ta ngjall në ditën e fundit”.

UNGJILLI SIPAS SHËN GJONIT 6, 54

Në pritje të Ngjalljes, trupi dhe shpirti i besimtarit marrin pjesë që tani në dinjitetin e të qenit “në Krishtin”; prandaj lind kërkesa e respektit ndaj trupit të vet, por edhe ndaj atij të tjetrit, veçanërisht kur vuan (KKK 1004).

“Trupi është për Zotin, dhe Zoti është për trupin. Dhe Hyji që ngjalli Zotin, do të na ngjallë edhe ne, me fuqinë e tij. A nuk e dini se trupat tuaj janë gjymtyrë të Krishtit?… Ju nuk i përkisni vetes suaj… Lavdëroni, pra Hyjin në trupin tuaj”.

LETRA E PARË KORINTASVE 6, 13-15.19-20

loading…


Shpërndaje postimin tek miqtë:

Leave a Reply