U ngjiz nëpërmjet Shpirtit Shenjt, dhe u lind prej Virgjërës Mari

Opinione

Ne besojmë dhe shpallim që Jezusi i Nazaretit është Mesia, Biri i Zotit. Që prej amshimi ai jeton në lavdinë e Atit. Erdhi në botë dhe u bë njeri si ne, provë kjo e gjallë e dashurisë së Atit të vet për ne. Dashuri, e cila tejkalon gjithçka që njerëzit mund të imagjinojnë dhe të thonë.

Teologët e parë dhe dishepujt e Jezusit, secili në mënyrën e vet, shprehin misterin e Mishërimit. Shën Gjoni fillon Ungjillin e tij me një himn për Krishtin që shpall: «Fjala u mishërua (domethënë u bë ‘njeri’) dhe banoi ndër ne, dhe e pamë lavdinë e saj.» (Gjn 1:14).

Në letrën drejtuar Filipianëve, Shën Pali i referohet një himni për pagëzim, i cili përshkruan Mishërimin e Birit të Hyjit, Jezu Krisht, si një lëvizje nga “lart-poshtë” (d.m.th.) prej Hyjit te njerëzit), që kthehet “lart”: «Ai ishte me natyrë Hyjnore… u bë i ngjashëm me ne, duke marrë natyrën e shërbëtorit… e përuli veten edhe më shumë… duke iu bindur edhe vdekjes, dhe vdekjes në kryq!… Prandaj Hyji e lartësoi dhe i dha Emrin që është mbi çdo emër… që gjithçka në qiell, mbi tokë dhe nën tokë, të shpallë që Jezu Krishti është Zot.» (Fil 2:6-11).

Në letrën drejtuar Galatasve Shën Pali përshkruan “jetën e Jezusit” me një fjali të vetme: «Kur erdhi koha e caktuar, Hyji e dërgoi Birin e vet, të lindur nga një grua, të nënshtruar ndaj Ligjit…, kështu që të fitojmë birësimin në shpirt.» (Galatasve 4:4-5).

Shën Gjoni i drejtohet edhe më qartë bashkësisë së vet: «Hyji dërgoi në botë të vetmin Bir të vet, që ne të jetojmë në saje të tij… Dhe ne kemi parë dhe dëshmojmë që Ati dërgoi Birin e tij të vetëm, si Shpëtimtarin e Botës.» (1 Gjn 4:9.14).

Dy nga Ungjilltarët, Shën Mateu dhe Shën Luka, tregojnë sesi Jezusi erdhi në botë. Ata e fillojnë librin e tyre me “Ungjillin e fëmijërisë” (Mt 1-2, Lk 1-2).

Shpërndaje postimin tek miqtë:

Leave a Reply